Ndryshimet në Kodin penal krijojnë pasiguri ligjore dhe rrezik për konfuzion institucional në një periudhë kalimtare

Edhe pse e përshëndesim iniciativën për ndërhyrje në Kodin Penal, konsiderojmë se ndryshimet e propozuara, në formën e tanishme, nuk përfaqësojnë një rikthim të vërtetë në gjendjen para vitit 2023, por përkundrazi futin zgjidhje të reja me pasoja serioze për sigurinë juridike dhe luftën kundër korrupsionit. Prandaj, parashtrojmë disa kërkesa të qarta:

  • Ndryshimet aktuale të Kodit penal të kufizohen ekskluzivisht në rikthimin e zgjidhjeve që ishin në fuqi para vitit 2023, pa futur koncepte të reja.
  • Të tërhiqen ose të rishikohen në mënyrë të thelluar dispozitat për konfiskimin e zgjeruar, të cilat mundësojnë sekuestrimin e pasurisë pa procedurë penale dhe pa dënim gjyqësor.
  • Të mos ngushtohet nocioni “përfitim” vetëm në përfitim pasuror te veprat për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe punë të pandërgjegjshme, me ç’rast krijohet rrezik për mosndëshkim të formave serioze të korrupsionit.
  • Të ruhet ose të futet një formulim që mundëson sigurimin e një mbrojtje efektive penale ndaj keqpërdorimeve të rënda, por atipike, të pozitës zyrtare.
  • Para miratimit të ndryshimeve, të mbahet një debat publik dhe profesional, ndërsa ndryshimet të mos miratohen me procedurë të shpejtë.

Këto kërkesa janë veçanërisht të rëndësishme duke pasur parasysh se për ndryshimet në vitin 2023, reaguam në kohë, duke paralajmëruar për pasojat që fatkeqësisht, sot konfirmohen në praktikë.

Pse janë problematike këto ndryshime?

  1. Konfiskimi i zgjatur (neni 98-a)

Ndryshimet e propozuara për konfiskimin e zgjatur devijojnë ndjeshëm nga modeli që zbatohej para vitit 2023. Në vend të konfiskimit të pasurisë së fituar para kryerjes së veprës penale, pas një procedure penale dhe dënim gjyqësor, tani është e mundur konfiskimi pa përgjegjësi penale të përcaktuar. Ky është një ndryshim thelbësor që ndryshon karakterin e masës.

Një qasje e tillë i afrohet të ashtuquajturit konfiskim civil, pa u përcaktuar qartë se kush dhe për çfarë mban përgjegjësi, përkatësisht cila është vepra penale që e bën të zbatueshme konfiskimin e zgjeruar. Për më tepër, ky model është në kundërshtim me Ligjin ekzistues për procedurën penale dhe krijon rreziqe për të drejtën e pronës, prezumimin e pafajësisë dhe sigurinë juridike. Prandaj, me këto ndryshime, edhe pse të destinuara për sanimin e përkohshëm të kornizës juridike deri në miratimin e një Kodi të ri penal, përsëri futet një koncept i ri pa rregulla të qarta.

  1. Shpërdorimi i detyrës (neni 353) dhe efektet në luftën kundër korrupsionit

Në rastin e shpërdorimit të detyrës, ndryshimet ngushtojnë ndjeshëm përgjegjësinë penale. Termi “përfitim” reduktohet vetëm në përfitim pronësor, duke dalë kështu jashtë fushëveprimit të formave të keqpërdorimit që jo gjithmonë sjellin përfitim të drejtpërdrejtë financiar, si ndikim, favorizim apo kushtëzim.

Përveç kësaj, krahasuar me versionin para vitit 2023, dënimet maksimale për format më të rënda të krimit zvogëlohen, gjë që çon drejtpërdrejt në periudha më të shkurtra të parashkrimit. Kjo do të thotë se ende ekziston më pak hapësirë për të ndjekur penalisht në mënyrë efektive rastet komplekse të korrupsionit, veçanërisht ato që zbulohen gjatë një periudhe më të gjatë kohore.

Njëkohësisht, futet një inkriminim i ri në vend që të kthehet dispozita e vjetër e paragrafit 5. Me ndryshimet e propozuara rikthehet vetëm inkriminimi për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencës zyrtare në procedurat e prokurimeve publike, por jo për format e tjera të keqpërdorimit të fondeve buxhetore, të fondeve publike ose të mjeteve të tjera të shtetit. Për më tepër, disa nga veprimet që përfshihen kanë karakter të shkeljeve administrative, gjë që mund të çojë në kriminalizim të tepruar pa forcim real të luftës kundër korrupsionit.

Veçanërisht shqetësuese është se me këto ndryshime nuk sigurohet mbrojtje e duhur e mjeteve nga fondet publike dhe fondet e Bashkimit Evropian, gjë që bie ndesh me angazhimet e shpallura për forcimin e sundimit të ligjit.

  1. Punë e pandërgjegjshme në shërbim (neni 353-v)

Tek vepra penale punë e pandërgjegjshme në shërbim, propozohet heqja e formulimit që deri tani shërbente si “rrjet mbrojtës” për ndëshkimin e rasteve të rënda, por jo tipike, të pandërgjegjësisë zyrtare. Edhe pse ka nevojë që dispozitat e tilla të formulohet me kujdes për të shmangur zbatimin arbitrar, heqja e tyre e plotë krijon rrezik që shkeljet serioze të mbeten pa ndëshkim.

  1. Procedura për propozimin e ndryshimeve

Edhe pse nevoja për ndërhyrje ishte e qartë, shqetëson është mënyra se si propozohen këto ndryshime. Ato u dorëzuan pa paralajmërime të mëparshme dhe pa konsultime publike, edhe pse ishte paralajmëruar krijimi i një grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo krijon përshtypjen e proceseve paralele dhe të pakoordinuara dhe zvogëlon besimin në cilësinë e zgjidhjeve të propozuara.

Duke pasur parasysh përvojën e mëparshme me ndryshime të shpejta dhe të pamenduara të Kodit Penal, konsiderojmë se është e nevojshme një debat publik dhe profesional, për të mos u përsëritur praktika e “korrigjimit” formal të ligjit pa zgjidhje reale të problemeve. Për këtë arsye, në një periudhë kur po përgatitet një Kod i ri penal në tërësi, qasja më përgjegjëse është rikthimi i zgjidhjeve të provuara para vitit 2023, pa futur modele të reja me pasoja të gjera afatgjata. Të gjitha reformat thelbësore duhet të jenë pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe inkluziv, jo rezultat i ndërhyrjeve ad hoc.