Sot, më 28.01.2026, Platforma e OJQ-ve për Luftë Kundër Korrupsionit i dorëzoi letër Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Gordana Siljanovska Davkova, duke kërkuar që ajo të mos e nënshkruajë dekretin për Ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal. Bashkëngjitur është dorëzimi integral i kërkesës.
“E nderuar Presidente,
Platforma për luftë kundër korrupsionit ju drejtohet me respekt dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie, duke pasur parasysh rolin tuaj kushtetues si garant i sundimit të ligjit dhe i kushtetutshmërisë së ligjeve.
Platforma për luftë kundër korrupsionit ka reaguar tashmë publikisht lidhur me Ligjin e miratuar për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal dhe, në disa raste, ka shprehur qëndrimet dhe argumentet e saj, përfshirë edhe në debatin publik në Kuvend, si dhe përmes shkresave zyrtare të dërguara institucioneve kompetente. Pas një analize të kujdesshme të Ligjit të miratuar, vlerësojmë se ekzistojnë arsye serioze dhe të bazuara për të cilat ju bëjmë thirrje të mos e nënshkruani dekretin për shpalljen e ligjit dhe të shfrytëzoni të drejtën tuaj kushtetuese për veto.
Edhe pse e përshëndesim nevojën për ndërhyrje në Kodin Penal, veçanërisht pas ndryshimeve të vitit 2023, zgjidhjet e miratuara, në vend që të sigurojnë stabilizim juridik në periudhën kalimtare deri në miratimin e një Kodi Penal plotësisht të ri, krijojnë pasiguri shtesë juridike, rrezik të konfuzionit institucional dhe përkeqësim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë.
Në veçanti, tërheqim vëmendjen ndaj çështjeve të mëposhtme me rëndësi thelbësore:
• Me ndryshimet e veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe punë të pakujdesshme (nenet 353 dhe 353-v), parashikohen dënime maksimale më të ulëta krahasuar me gjendjen para vitit 2023, gjë që ndikon drejtpërdrejt në politikën ndëshkuese dhe në afatet e parashkrimit të ndjekjes penale për format e rënda të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të funksionit publik.
• Mbrojtja e mjeteve publike në paragrafin 5 të nenit 353 reduktohet kryesisht në keqpërdorimet në procedurat e prokurimit publik, dhe atë vetëm në një segment të tyre, pa u siguruar një mbrojtje penale gjithëpërfshirëse nga keqpërdorimi i mjeteve të buxhetit të shtetit, të vetëqeverisjes lokale dhe të fondeve publike përmes mekanizmave të tjerë.
• Te vepra penale e punës së pakujdesshme në shërbim, shfuqizohet inkriminimi i qartë i veprimit të pakujdesshëm të personave zyrtarë në organet e administratës shtetërore, çka në praktikë përbënte një mjet kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në procedurat administrative.
• Zgjidhjet e propozuara për konfiskimin e zgjeruar, në aspektin konceptual dhe procedural, i përziejnë modelet e ndryshme të konfiskimit, çka bie ndesh me Ligjin për procedurën penale dhe me standardet ndërkombëtare, dhe hap rrezik për zbatim të paqartë dhe të pabarabartë, si dhe për cenim të sigurisë juridike dhe të prezumimit të pafajësisë.
Shqetësim shtesë paraqet edhe fakti që ndryshimet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit miratohen në të njëjtin paketë ligjore me dispozita për harmonizimin me Konventën e Stambollit dhe forcimin e mbrojtjes së grave dhe viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Edhe pse këto ndryshime janë të domosdoshme dhe meritojnë mbështetje të pakushtueshme, kombinimi i tyre me ndryshime thelbësore dhe kontestuese në legjislacionin penal anti-korrupsion e vështirëson debatimin profesional dhe publik, dhe krijon rrezik që çështjet e rëndësishme lidhur me korrupsionin të mos shqyrtohen në të gjithë kompleksitetin e tyre.
Gjithashtu, vlerësojmë se mënyra e miratimit të këtyre ndryshimeve, pa konsultime publike adekuate dhe pa përfshirje sistematike të prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk i përgjigjet ndjeshmërisë dhe rëndësisë së materies që rregullohet.
E nderuar Presidente,
Duke pasur parasysh përkushtimin Tuaj akademik dhe profesional ndaj së drejtës kushtetuese dhe sundimit të ligjit, besojmë se do t’i merrni parasysh këto argumente dhe do të shfrytëzoni kompetencën Tuaj kushtetuese për të kthyer ligjin për shqyrtim të ri në Kuvend. Një hap i tillë do të mundësonte përpunim thelbësor të zgjidhjeve kontestuese dhe do të parandalonte pasoja negative afatgjata mbi luftën kundër korrupsionit dhe mbi sigurinë juridike.
Jemi në dispozicion për çdo sqarim shtesë ose konsultim profesional.
Me respekt,
Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit”