Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit i bën thirrje deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që urgjentisht të emërojnë drejtor dhe zëvendësdrejtor të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik.
Kjo Agjenci, e cila është kyçe për mbrojtjen e të drejtës kushtetuese të garantuar të qytetarëve për qasje në informacionet që i posedojnë institucionet publike, e rrjedhimisht edhe për transparencën e pushtetit në të gjitha nivelet, tashmë prej një muaji është jofunksionale për shkak të skadimit të mandatit të drejtorit të mëparshëm dhe zëvendësit të tij, si dhe mos-emërimit të udhëheqjes së re nga ana e Kuvendit.
E drejta e qytetarëve për informim publik është një nga të drejtat themelore të njeriut të garantuara nga konventat ndërkombëtare dhe evropiane, si dhe nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut.
Qasja në informacionet që i krijojnë dhe i posedojnë institucionet publike, dhe që janë pronë e qytetarëve, u mundëson qytetarëve të jenë të informuar për të drejtat dhe detyrimet e tyre në shoqëri, të kenë qasje në shërbimet që i ofrojnë institucionet publike, të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe të kërkojnë llogaridhënie nga autoritetet. Po ashtu, qasja në informacionet me karakter publik është një nga mjetet më të rëndësishme për organizatat qytetare, mediat dhe gazetarët hulumtues në luftën kundër korrupsionit, përmes zbulimit të parregullsive dhe keqpërdorimeve në punën e institucioneve publike dhe në shfrytëzimin e mjeteve publike.
Për shkak të mungesës së personave udhëheqës, përkatësisht drejtorit dhe zëvendësdrejtorit, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik nuk mund të vendosë për ankesat e kërkuesve të informacionit, as të ushtrojë plotësisht dhe rregullisht kompetencat e saj ligjore. Kjo pengon ushtrimin e plotë të së drejtës së qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara për të pasur qasje në informacionin publik, përkatësisht mënyrën se si institucionet publike punojnë dhe shpenzojnë paratë e qytetarëve.
Prandaj, u bëhet thirrje deputetëve që urgjentisht të emërojnë kuadrot drejtuese të Agjencisë, për të siguruar vazhdimësinë e punës së saj dhe vazhdimin e deritanishëm të suksesshëm të mbrojtjes së të drejtës së qytetarëve për qasje në informacionet publike.