NJOFTIM PËR PUBLIKUN Në lidhje me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit e informon publikun se sot i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit amë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive një shkresë lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit penal.

Qëndrimi i përbashkët dhe i qartë i Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit është se zgjidhja e propozuar kalimtare nuk i largon dëmet thelbësore të shkaktuara me ndryshimet e Kodit penal të shtatorit 2023, por përkundrazi e dobëson më tej mbrojtjen penale-juridike nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare. Prandaj, kërkojmë qartë dhe shprehimisht që të rikthehen dispozitat identike të Kodit Penal që ishin në fuqi para ndryshimeve të vitit 2023, si e vetmja zgjidhje kalimtare e arsyeshme, juridikisht e sigurt dhe e përgjegjshme, deri në miratimin e një Kodi Penal plotësisht të ri.

Në debatin publik u theksua se ndryshimet e propozuara, veçanërisht te neni 353, e reduktojnë përgjegjësinë penale në një fushë jashtëzakonisht të ngushtë dhe praktikisht të pazbatueshme. Me këtë, në thelb dekriminalizohen format më të shpeshta dhe më të dëmshme të korrupsionit në prokurimet publike – favorizimi, trajtimi selektiv, përshtatja e kushteve të tenderëve, lidhja e kontratave pa nevojë reale dhe tolerimi i paligjshmërive. Një qasje e tillë krijon pasiguri juridike dhe rrezik real për ndërprerjen e procedurave hetimore dhe gjyqësore në vijim, pasi prokuroria dhe gjykatat do të mbesin pa bazë ligjore për veprim në pjesën më të madhe të rasteve.

Po ashtu, theksuam se zgjidhja e propozuar e kufizon “përfitimin” ekskluzivisht në përfitim pasuror, gjë që është në kundërshtim me standardet evropiane antikorrupsion dhe e përjashton përgjegjësinë për shumë forma jokonvencionale, por gjerësisht të përhapura të korrupsionit, si favorizimi, nepotizmi dhe fitimi i privilegjeve jomateriale. Ulja e dënimeve maksimale, nga ana tjetër, ndikon drejtpërdrejt në afatet e parashkrimit, të cilat përgjysmohen, megjithëse trupat ndërkombëtare vazhdimisht theksojnë se për korrupsionin e nivelit të lartë nevojitet një periudhë më e gjatë për zbulim, hetim dhe ndjekje penale. Gjithashtu, u theksua se futja e një zgjidhjeje të re kalimtare, të paanalizuar mjaftueshëm, do të çojë në cenim serioz të sigurisë juridike, pasi brenda një periudhe të shkurtër kohore shteti do të ketë disa përkufizime të ndryshme për të njëjtat vepra penale.

Me ndryshimet e nenit 353 V, përgjegjësia penale kufizohet ekskluzivisht në përfitim pasuror dhe fshihet e ashtuquajtura “rrjetë mbrojtëse” për mënyra të tjera haptazi të pakujdesshme të ushtrimit të detyrës zyrtare, çka krijon rrezik për amnisti faktike për zyrtarët në organet e administratës shtetërore dhe e ngushton seriozisht fushëveprimin e ndjekjes penale për forma jokonvencionale, por të shpeshta të korrupsionit.

U theksua gjithashtu se ndryshimet e propozuara në pjesën e konfiskimit të zgjeruar e cenojnë seriozisht parimin themelor se ai mund të zbatohet vetëm pas një dënimi përfundimtar për forma të rënda të korrupsionit ose krimit të organizuar. Me fshirjen e kufirit të qartë ndërmjet konfiskimit të zgjeruar dhe konfiskimit pa dënim penal, krijohet rrezik për konfiskim kaskadë dhe për zhvendosje arbitrare të barrës së provës, çka paraqet kërcënim serioz për sigurinë juridike dhe hap hapësirë për keqpërdorime.

Rikujtojmë edhe një herë se miratimi i ndryshimeve kaq të rëndësishme në Kodin penal duhet të bëhet përmes konsultimeve thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me palët e interesuara, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët publikë, si praktikues që preken më drejtpërdrejt nga ndryshimet dhe përvoja e të cilëve është thelbësore për vlerësimin e ndikimit të tyre real dhe zbatimin në praktikën gjyqësore.

Për shkak të të gjitha sa më sipër, u bëjmë thirrje deputetëve në Kuvend që t’i marrin parasysh argumentet e paraqitura në debatin publik dhe pa vonesë t’i rikthejnë dispozitat e Kodit penal ashtu siç ishin para ndryshimeve të shtatorit 2023, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik, sundimin e ligjit dhe kredibilitetin e shtetit para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare deri në miratimin e një Kodi penal plotësisht të ri.